A është shteti “ne të gjithë”?
- korab Rashiti
- il y a 23 heures
- 3 min de lecture

Në një demokraci thuhet shpesh se shteti përfaqëson si një instancë e paanshme dhe e vetmohuar interesat e qytetarëve. Pra, gjithçka që bën shteti përfaqëson vullnetin e shoqërisë. Por, sa qëndron ky klishe?
Logjika e këtij pretendimi është kjo: përfaqësuesit politikë zgjidhen nga populli dhe, për këtë arsye, ata duhet të mbrojnë interesat e përgjithshme. Megjithatë, kjo logjikë injoron disa realitete themelore:
Interesat personale të politikanëve;
Interesat personale të administratës shtetërore;
Ndikimin e interesave të organizuara të grupeve të veçanta;
Pafuqinë pothuajse totale të pjesëmarrjes politike të individit;
Mundësinë e vendimeve të këqija politike, që dëmtojnë të mirën e përgjithshme pa sjellë pasoja për vendimmarrësit;
Pamundësinë që shteti, përveç disa rregullave të përgjithshme, t’i përfaqësojë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët.
Le t’i marrim me radhë.
Së pari: Edhe politikanët kanë interesa të veta, të cilat shpesh bien ndesh me interesat e qytetarëve. Ata nuk i lënë mënjanë këto interesa sapo të futen në një post publik. Shkolla e “Public Choice” e ka studiuar këtë fenomen. Politikanët synojnë mbi të gjitha rizgjedhjen, reputacionin, karrierën, si dhe rritjen e pagave dhe ndikimit të tyre.Shpesh shohim politikanë që paraqiten në media me nisma të shpejta, jo për të sjellë një sistem më të drejtë, por vetëm për të fituar kapital politik nga një debat i çastit publik. Një shembull i qartë i interesave vetjake janë edhe pagat e larta të deputetëve, të cilat ata i caktojnë vetes në kurriz të tatimpaguesve. Në Zvicër, një deputet i Dhomës Kombëtare merrte mbi 126 mijë franga (sipas të dhënave të vitit 2020) – shumë më tepër se mesatarja e të ardhurave të popullsisë. Në Kosovë, ndonëse shifrat janë më të ulëta, logjika është e njëjtë: përfaqësuesit politikë janë shpesh pjesë e një elite të privilegjuar në krahasim me qytetarët.
Së dyti: E njëjta logjikë vlen për administratën shtetërore. Edhe zyrtarët civilë kanë interesa vetjake, si rritja e buxheteve të departamenteve të tyre, gjë që u siguron vende pune më të sigurta dhe karrierë më të avancuar. Puna në institucione shpesh zgjatet më shumë se sa duhet, sepse mungon disiplina e tregut. Zyrtarët e lartë kërkojnë gjithnjë më shumë nëpunës nën vartësi për të rritur rëndësinë e tyre dhe prestigjin brenda hierarkisë shtetërore. Në shumë raste, vetë zgjidhja e një problemi nuk është në interes të administratës, sepse nëse problemi zhduket, zhduket edhe arsyeja për ekzistencën e saj.
Së treti: Politika është shpesh arenë e interesave të grupeve të veçanta (lobi), që përfitojnë privilegje ligjore në kurriz të qytetarëve të tjerë. Qoftë bujqësia, sindikatat, bizneset e mëdha, apo shoqatat e ndryshme, ato arrijnë të sigurojnë përfitime të përqendruara, ndërsa kostoja shpërndahet tek e gjithë shoqëria, e cila nuk organizohet dot për t’i kundërshtuar.
Së katërti: Pretendimi se secili qytetar mund të marrë pjesë politikisht nëse nuk është i kënaqur, është hipokrizi. Pjesëmarrja politike është e shtrenjtë dhe kërkon shumë kohë. Një votë në miliona të tjera ka ndikim pothuajse zero, krahasuar me vendimet individuale që marrim në jetën e përditshme.
Së pesti: Është iluzion të besosh se gjithmonë zgjidhen në poste publike njerëzit më të mençur dhe më të aftë. Shpesh përzgjidhen ata që dinë të ndikojnë turmat, edhe pse janë intelektualisht të kufizuar dhe të bindur verbërisht në idetë e tyre. Kjo nuk garanton vendime të mençura, përkundrazi: shpesh miratohen ligje të dëmshme, rritje taksash, shpërndarje të padrejta të pasurisë, dhe kufizime të lirisë së pronës apo të privatësisë.
Së gjashti: Në një shoqëri pluraliste, e vetmja “e mirë e përgjithshme” është respektimi i disa rregullave bazike: barazia para ligjit, e drejta për jetë dhe liri, liria e mendimit dhe besimit, liria e bashkimit, liria ekonomike dhe garantimi i pronës. Përtej këtyre, ekzistojnë vetëm interesa individuale, të cilat shpesh bien ndesh dhe mund të harmonizohen vetëm nëpërmjet marrëveshjeve vullnetare. Prandaj, shteti nuk mund të përfaqësojë të gjithë njësoj.
Edhe pse kushtetutat liberale historikisht janë menduar si garanci për të mirën e përgjithshme (p.sh. në Zvicër apo SHBA), realiteti është se ndërhyrja shtetërore shumë shpejt çon në abuzime, privilegje të grupeve të fuqishme dhe kufizim të lirive.
Vetëm një shtet i kufizuar në funksionet themelore – drejtësi, siguri, mbrojtje e të drejtave – mund të pretendojë se i shërben barabartë të gjithëve. Nga kjo jemi shumë larg sot. Prandaj, shteti nuk është “ne të gjithë”.
Comments